Flyksa

Newsletter

12/09/2022 / 12:48

8 vende që duhen vizituar në Europë!

Megjithëse Europa është magjike në çdo periudhë të vitit, shtatori mund të jetë koha e përsosur për të udhëtuar këtu!

Shtatori në Europë sjell temperatura më të freskëta, më pak vizitorë dhe çmime më të lira, duke e bërë këtë një muaj të përsosur për të eksploruar gjithçka që ofron ky rajon.

Lart, në Europën Veriore ose në male, shtatori sjell ajër të freskët dhe fillimin e ndryshimit të gjetheve të pemëve, ndërsa Europa Jugore ka ende ditë të gjata dhe të ngrohta, ideale për t’u çlodhur në plazhet e pastra.

Nëse dëshironi disa pushime në qytet gjatë fundjavës, pushime në mal ose disa ditë të fundit në plazh përpara fillimit të dimrit, shtatori është koha e përkryer për të bërë pushimet tuaja në Europë.

Romë, Itali

Nuk ka periudhë më të mirë të vitit sesa shtatori për të vizituar qytetin magjik të Romës, kur nxehtësia dhe lagështia e korrikut dhe e gushtit ndihen më pak. Ky sezon është i përsosur për të vizituar destinacione të njohura, të tilla si Vatikani apo Koloseu, dhe nuk ka asnjë periudhë të vitit që nuk do të ishte e përshtatshme për të shijuar ushqimet italiane.

Ata që kanë pak më shumë kohë në dispozicion për të vizituar Italinë duhet të konsiderojnë të shkojnë në veri, nga Roma në Firence ose në Venecia, apo në jug, në Sorrento ose Napoli.

Split, Kroaci

Spliti është një zgjedhje ideale për pushime në shtator, megjithëse shpesh ai anashkalohet nga vizitorët për shkak të qytetit shumë më të njohur kroat, Dubrovnikut. Ai është qyteti i dytë më i madh në Kroaci dhe ndodhet përgjatë bregdetit të bukur të Adriatikut.

Shtatori është koha e mrekullueshme për ta vizituar këtë qytet, pasi do të ketë më shumë freski përgjatë rrugëvë historike të tij dhe më pak turistë që vijnë për ta parë atë. Për pamje më të bukura të të gjithë qytetit dhe gjirit, mund të ngjiteni në kullën e kambanës te Katedralja e Shën Domnius, e cila është katedralja më e vjetër katolike në botë.

Krakov, Poloni

Krakovi është një perlë e mrekullueshme dhe njihet si një nga destinacionet më të lira të Europës për t’u vizituar, pasi ҫmimet çuditërisht nuk janë shumë të larta këtu. Ky është një qytet i bukur historik, me një shesh të mrekullueshëm të tregut kryesor që ndodhet pikërisht në qendër të qytetit.

Në këtë shesh ndodhet bazilika e famshme gotike e Shën Marisë, e ndërtuar në shekullin XIV, si dhe Salla e Pëlhurave, një vepër e Rilindjes e ndërtuar në shekullin XVI. Në shtator, megjithëse i nxehti do të ketë rënë, prodhimet e freskëta do të vazhdojnë të gjenden në tregjet lokale, duke e bërë këtë periudhë të mrekullueshme për të vizituar ish-kryeqytein e Polonisë.

Ishujt grekë

Shtatori konsiderohet si muaji i fundit i sezonit të verës në Ishujt Grekë, kështu që është periudha e përkryer për të përfituar disa oferta të mira dhe për të shmangur vapën përvëluese, bashkë me turmat e turistëve. Me më shumë se 200 ishuj, vizitorët në këtë rajon kanë një shumëllojshmëri zgjedhjesh.

Santorini është një nga ishujt më të njohur për ata që vijnë për herë të parë në këtë rajon dhe nuk është e vështirë të kuptosh arsyen kur shikon pamjet mahnitëse të liqenit të kraterit, ndërtesat e bardha dhe plazhet me rërë të zezë.

Korfuzi është gjithashtu një tjetër ishull i njohur, me fshatrat e vegjël, me zonat e ullishteve dhe me disa nga plazhet më të bukura të Europës. Sifnos, një ishull më pak i njohur, është një zgjedhje e shkëlqyer për gastronominë, me revitháda-t e tij të famshme (qiqrat e pjekura) dhe mastello-n (mish qengji me verë të kuqe dhe kopër).

Budapest, Hungari

Budapesti është një tjetër qytet i mrekullueshëm për t’u vizituar në shtator, kur temperaturat kanë rënë, pasi shumë nga hotelet me ҫmime të lira nuk kanë ajër të kondicionuar. Ka kaq shumë pamje të bukura për të shijuar dhe aktivitete për të bërë në këtë kryeqytet të jashtëzakonshëm.

Një mundësi unike për të parë qytetin është duke lundruar me varkë përgjatë lumit ose duke vizituar ishullin Margaret në mes të lumit Danub.