Flyksa

Newsletter

21/02/2023 / 08:56

Flamuri i Kosovës që prek qiellin nga vitit 2003

Kosova po shënon 15-vjetorin e Pavarësisë dhe rrugëtimi deri këtu nuk ishte aspak i lehtë, sfida e suksese tjera na presin përpara.

Më lejoni që në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, të risjell në mendje peripecitë që kaluam për të sjellë në Kosovë kompaninë Kosova Airlines. Punuam nga Gjermania për të patur 10 avionët e parë; dizajnuam imazhin e tyre me logon e kompanisë. Në fillim vendosëm në bisht gjysmën e flamurit të Shqipërisë, por as bëhej fjalë që autoritetet ndërkombëtare në 2003 të pranonin.

Atëherë vendosëm si duket në fotot më poshtë- simbolin e Kosovës shtet që po lindte- në formën e hartës me ngjyrë blu. Por emri i kompanisë u zvogëlua pafund duke u vendosur në pjesën fundore. Me rëndësi është të nisë procesi- thoshte Presidenti i ndjerë, Rugova i cili mori pjesë personalisht në ceremoninë e organizuar me atë rast, me kryeministrin e ndjerë doktor Bajram Rexhepin.

Çfarë kuptuam prej atëherë? 

Që pavarësia ishte një proces i gjatë që donte kohë dhe durim. Mësuam se autoritetet ndërkombëtare nuk ishin të përgatitur të menaxhonin energjinë tonë, dëshirën tonë për të përparuar me shpejtësi. Ata mendonin se ne ishim të përqëndruar veç tek mbijetesa, tek sigurimi i bukës së përditshme.

Prej atyre kohëve plot emocione, kanë mbetur keto foto. Ka mbetur simboli I flamurit të Shtetit tonë që fluturoi 10 mijë metra në qiell. Por ende nuk kemi mundesi të kemi kompani ajrore shtetërore sepse nuk jemi anëtarë të OKB-së. Ndaj duhet të ecim shpejt, se koha nuk pret!

E gëzofshim përjetë Kosovën tonë. Urime!


Remzi Ejupi